35-vjetori i PS-së, Rama nga Korça: Kemi ndryshuar imazhin e Shqipërisë

35-vjetori i PS-së, Rama nga Korça: Kemi ndryshuar imazhin e Shqipërisë

Aktuale May 28, 2026 - 18:16

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vijon turin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, teksa këtë të enjte u ndal në Korçë, ku zhvilloi një takim me mbështetësit dhe anëtarët e PS-së në këtë qytet.

Rama theksoi se Partia Socialiste është forca politike që, gjatë 35 viteve, ka pasur një marrëdhënie të drejtë si me interesin kombëtar, ashtu edhe me të shkuarën dhe me botën.

“Është krenaria jonë që, pas një periudhe të gjatë vështirësish dhe denigrimi, i kemi ngritur çdo shqiptari ku ndodhet në botë dhe i kemi dhënë Shqipërisë një tingëllim tjetër nga ai që kishte jo shumë vite më parë,” tha Rama.

Ai shtoi se vendi ndodhet sot në një fazë të re, ku sipas tij është mbyllur faza e “çeljes së kapitujve” të negociatave dhe tashmë është hapur faza e “mbylljes së kapitujve”.

“Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi,” u shpreh kryeministri shqiptar, duke shtuar se Partia Socialiste synon një fitore të jashtëzakonshme në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. /euronews