Myftiu Tërnava: Jostabiliteti politik ka lodhur popullin tonë dhe ka shqetësuar aleatët tanë
Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, Myftiu Naim Tërnava mbajti Hytben e Kurban Bajramit.
Tërnava foli edhe për situatën politike në të cilën gjendet Kosova, e ku theksoi se ky jostabilitet politik nuk është në të mirë të vendit.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se jostabiliteti politik ka lodhur popullin tonë dhe ka shqetësuar edhe aleatët dhe miqtë tanë ndërkombëtar të cilët kanë qëndruar pran nesh në momentet më të vështira të historisë sonë. Përgjegjësia jonë ndaj tyre nuk është vetëm mirënjohja, por edhe ndërtimi i një shteti serioz, demokratik dhe funksional që ecën përpara me mençuri dhe unitet”, theksoi Tërnava, raporton Zeri.info.

Në fjalën e tij, i pari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), kërkoi nga politikanët që të kenë kujdes në gjuhën e tyre gjatë fushatës zgjedhore e cila nis sot dhe të mos mbjellin urrejtje e përçarje e shpifje ndaj dhe për njëri-tjetrin.

“Të nderuar besimtar, ka rastisur që pikërisht në këtë ditë të madhe të madhe të Kurban Bajramit të filloj edhe fushata politike për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor. Kjo na obligon edhe më shumë që në frymën e kësaj feste të paqes, sakrificës edhe mirëkuptimit të tregojmë pjekuri qytetare, kulturë demokratike dhe përgjegjësi kombëtare. Ne si qytetar të këtij vendi dhe si popull me traditë të lashtë të urtësisë, miqësisë dhe respektit duhet të dëshmojmë edhe kësaj radhë edukatë, qytetërim dhe kulturë të lartë politike në mënyrë që kjo periudhë zgjedhore të kaloj me qetësi, dinjitet dhe respekt të ndërsjellë. Fushatat kalojnë, zgjedhjet përfundojnë, por shteti, populli edhe interesat kombëtare mbeten mbi çdo dallim politik apo partiak”, tha ndër të tjerash Tërnava.
Më poshtë “Zëri” ju sjell një pjesë nga fjalimi i Tërnavës:
Duhet të jemi të vetëdijshëm se jostabiliteti politik ka lodhur popullin tonë dhe ka shqetësuar edhe aleatët dhe miqtë tanë ndërkombëtar të cilët kanë qëndruar pran nesh në momentet më të vështira të historisë sonë. Përgjegjësia jonë ndaj tyre nuk është vetëm mirënjohja, por edhe ndërtimi i një shteti serioz, demokratik dhe funksional që ecën përpara me mençuri dhe unitet. Të nderuar besimtar, ka rastisur që pikërisht në këtë ditë të madhe të madhe të Kurban Bajramit të filloj edhe fushata politike për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.
Kjo na obligon edhe më shumë që në frymën e kësaj feste të paqes, sakrificës edhe mirëkuptimit të tregojmë pjekuri qytetare, kulturë demokratike dhe përgjegjësi kombëtare. Ne si qytetar të këtij vendi dhe si popull me traditë të lashtë të urtësisë, miqësisë dhe respektit duhet të dëshmojmë edhe kësaj radhë edukatë, qytetërim dhe kulturë të lartë politike në mënyrë që kjo periudhë zgjedhore të kaloj me qetësi, dinjitet dhe respekt të ndërsjellë. Fushatat kalojnë, zgjedhjet përfundojnë, por shteti, populli edhe interesat kombëtare mbeten mbi çdo dallim politik apo partiak.
Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve, që të merrni pjesë në zgjedhje me vetëdije të plotë qytetare, të votoni lirshëm me përgjegjësi dhe sipas bindjes suaj për ata që mendoni se e meritojnë besimin dhe që kanë vizion. Në këtë fushatë parazgjedhore, le të mos ketë vend për gjuhën e urrejtjes, fyerjet, linçimet, akuzat e pabazuara dhe njollosjen e njëri-tjetrit me të pavërteta vetëm për hir të në vote.
Një fushatë e ndërtuar mbi përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës e as të ardhmes së saj. Le të mbizotëroj urtësia, dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut, të kemi respekt për mendimet ndryshe sepse pikërisht përmes kundërmendimeve të shprehura me qytetari ndërtohet një shoqëri më e drejtë, më e pjekur dhe më e mirë për të gjithë. Kosova ka nevojë për debat të bazuar në ide dhe argumente jo në urrejtje e përçarje, ka nevojë për vizion dhe përgjegjësi, jo për baltosje e sulme personale, për afrim e mirëkuptim mes njerëzve e jo për ndarje që dëmtojnë shoqërinë tonë.
Mbesim me shpresë që pas këtyre zgjedhjeve faktori politik të reflektojë me maturi dhe përgjegjësi shtetërore që institucionet e vendit të formohen sa më shpejt dhe të krijohet stabiliteti i nevojshëm politik dhe institucional për të punuar bashkërisht për të ardhmen e Kosovës për mirëqenien e qytetarëve dhe për prespetktivën brezave të rinj.
Kosova ka nevojë për unitet për çështjet madhore, për institucione funksionale dhe për një frymë bashkëpunimi që e vendos interesin e atdheut mbi çdo interes tjetër. Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat dhe të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më dinjitoze për të gjithë qytetarët tanë. /Zëri
