Sindikata e Policisë kërkon pensionim në moshën 55-vjeçare dhe paga më të favorshme pas daljes në pension
Sindikata e Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se një nga kërkesat kryesore të saj mbetet miratimi i Ligjit për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë nga mosha 55-vjeçare.
Sipas Sindikatës, ky ligj duhet të jetë i ngjashëm me atë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke paraparë që pensioni të nisë me 60 për qind të pagës bruto, ndërsa për çdo vit përvojë pune të rritet me nga 2 për qind, por pa e kaluar kufirin prej 80 për qind të pagës bruto.
Po ashtu, Sindikata ka kërkuar që gjatë përllogaritjes së pensionit të merret parasysh paga më e lartë që zyrtari policor ka pasur gjatë shërbimit në Policinë e Kosovës.
Një tjetër kërkesë është që një vit para pensionimit, zyrtarëve policorë t’u ngriten dy grada më lart, si vlerësim për kontributin dhe punën e tyre ndër vite.
Sindikata ka theksuar gjithashtu se pensioni duhet të mbetet i pandryshueshëm edhe pas moshës 65-vjeçare.
“Këto janë disa nga kërkesat fillestare të Sindikatës lidhur me draftimin e ligjit nga komisioni i formuar nga ministri, ndërsa do të ketë edhe kërkesa të tjera shtesë”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, Sindikata paralajmëroi se nuk do të pranojë një projektligj që, sipas saj, nuk është në përputhje me interesat e zyrtarëve policorë./teve1