Planet e Kurtit për xhandarmëri, zyrtari i NATO: Po i ndjekim nga afër deklaratat
Foto: Laura Hasani

Planet e Kurtit për xhandarmëri, zyrtari i NATO: Po i ndjekim nga afër deklaratat

Aktuale May 20, 2026 - 21:16

Pushteti ka njoftuar se kanë filluar procedurat për formimin e një strukture të veçantë të sigurisë. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se xhandarmëria do të ketë një gamë të gjerë të përgjegjësisë. Lidhur me këtë nismë Gazeta Express ka kontakuar nië zyrtar të NATO’s nga ku është bërë e qartë se po ndjekin nga afër deklaratat nga institucionet e Kosovës mbi këtë çështje duke thënë se u takon atyre të komentojnë më në detaje për këtë temë.

Në përgjigjen për Gazetën Express thuhet se “NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të ofrojë kontributet e veta për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, për të mirën e të gjithëve. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, KFOR-i siguron një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”.

Tutje, theksohet se “në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj origjinal të mbrojtjes civile, përmes koordinimit të ndërtimit të kapaciteteve, arsimit dhe trajnimit”.

“Ne presim që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë në këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, përfundon përgjigja.

Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim zëvendës ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Partneritete në NATO, Kevin Hamilton, me të cilin sipas ZKM-së, është folur edhe për Xhandarmërinë.

“U diskutua gjithashtu për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ku në pyetjen e z. Hamilton, kryeministri në detyrë Kurti shpjegoi konceptin dhe theksoi nevojën e kësaj strukture në forcimin e sigurisë dhe koordinimit me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim”, ka njoftuar ZKM.