Komuna e Prishtinës nis shërbime falas shëndetësore në Gërmi çdo të shtunë
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se çdo të shtunë, nga ora 09:00, një ekip i urgjencës mobile i përbërë nga mjek dhe staf teknik do të jetë i pranishëm në Parkun e Gërmisë për të ofruar matje falas të shtypjes së gjakut dhe treguesve të tjerë bazikë shëndetësorë.
Sipas njoftimit, kjo iniciativë është pjesë e planit trevjeçar për avancimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe promovimin e shëndetit publik.
“Kryeqyteti, në kuadër të planit trevjeçar për avancimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe promovimin e shëndetit publik, ka përfshirë Parkun e Gërmisë në programin formal të qeverisjes komunale si një iniciativë konkrete për përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se bashkëpunimi mbështetet në praktikat më të mira ndërkombëtare, përfshirë modelin e National Health Service, ku aktiviteti fizik rekomandohet si pjesë e kujdesit parësor shëndetësor për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike.
Sipas njoftimit, lëvizja e rregullt ndikon në uljen e rrezikut nga diabeti, hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa aktiviteti fizik në komunitet ndihmon edhe në reduktimin e stresit, ankthit, depresionit dhe izolimit social.
“Çdo të shtunë, në orën 09:00, në Parkun e Gërmisë, organizohen ecje dhe vrapime rekreative në distanca prej 2 dhe 5 kilometrash”, thuhet tutje në njoftim.
Sipas Komunës së Prishtinës, pjesëmarrja është falas, pa karakter garues dhe e hapur për të gjitha grupmoshat, pavarësisht nivelit të përgatitjes fizike.