MINTI gjobit KEDS-in me 40 mijë euro për njehsorët elektrikë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se po trajton me prioritet mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, ndërsa ndaj KEDS-it janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 40 mijë eurosh për çështje që lidhen me njehsorët elektrikë.
Këto zhvillime u bënë të ditura në mbledhjen e radhës të Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku u prezantua edhe Draft-Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030.
Në takim u diskutua edhe për aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të fokusuara në monitorimin e çmimeve të derivateve, njehsorëve elektrikë dhe produkteve të qumështit me bazë bimore në treg.
Sipas MINTI-t, procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë për konsumatorët që kanë paraqitur ankesa është duke vazhduar.
“Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë verifikuar 19 njehsorë, prej të cilëve shtatë kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi”, thuhet në njoftim.
Raportet zyrtare të laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, i cili ka ndërmarrë masa ligjore dhe ka shqiptuar gjoba ndaj KEDS-it në vlerë prej 40 mijë eurosh.
Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit ka diskutuar gjithashtu për trajtimin sa më të shpejtë të rasteve dhe format e kompensimit të dëmit ndaj konsumatorëve.
Sipas Ministrisë, gjatë tre muajve të fundit janë ndërmarrë një sërë masash proaktive për trajtimin e ankesave të qytetarëve, ndërsa është shënuar edhe një rritje prej 35 për qind e numrit të ankesave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çka konsiderohet si tregues i rritjes së besimit institucional të qytetarëve. /Zëri