Kamberi kërkon sqarim nga Serbia për bllokimin e fondeve për Luginën e Preshevës

Kamberi kërkon sqarim nga Serbia për bllokimin e fondeve për Luginën e Preshevës

Aktuale May 19, 2026 - 13:41

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka kërkuar sqarime kryeministrit të Serbisë dhe Guvernatorit të Bankës Popullore të këtij shteti, për bllokimin e fondeve të ndara nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës.

Në pyetjen e parashtruar në seancën e Kuvendit, ai ka kërkuar të dijë nëse për një gjë të tillë ka vendim nga Qeveria dhe nëse po mbi çfarë baze ligjore.

“A ekziston ndonjë vendim i Qeverisë së Republikës së Serbisë, Bankës Popullore të Serbisë, Ministrisë së Financave apo i cilitdo organ tjetër shtetëror, me të cilin kufizohet, ndalohet ose bllokohet realizimi i donacioneve që Këshilli Kombëtar Shqiptar merr nga buxheti i Kosovës përmes bankave komerciale në Republikën e Serbisë?.Nëse një vendim i tillë ekziston: a. Në çfarë baze ligjore është marrë? b. Cili organ shtetëror e ka miratuar një vendim apo udhëzim të tillë? c. A zbatohen këto masa vetëm ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar apo edhe ndaj këshillave të tjerë kombëtarë të pakicave kombëtare në Republikën e Serbisë? d. A është vendosur Këshilli Kombëtar Shqiptar në ndonjë listë të brendshme apo zyrtare të kufizimeve ose të mbikëqyrjes së shtuar lidhur me transaksionet financiare?”, ka qenë pyetje e Kamberit.

Ai ka thënë se bllokimi i këtyre mjeteve vë në rrezik funksionimin e Këshillit Kombëtar.

“Bllokimi afatgjatë i transfereve rrezikon seriozisht realizimin e të drejtave të pakicës kombëtare për vetëqeverisje në fushat e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit. Kjo paraqet një sulm të drejtpërdrejtë ndaj çështjeve ekzistenciale të Këshillit Kombëtar dhe të gjithë përfituesve të përmendur”, është shprehur deputeti shqiptar.