“Trepça” del me njoftim për minatorët e ngujuar, tregon gjendjen e tyre
Një defekt i rëndë teknik në minierën e “Trepçës” ka lënë të ngujuar disa minatorë në thellësi të zgafelles për më shumë se 16 orë.
Ndërmarrja “Trepça” ka dalë me një njoftim për këtë situatë, shkruan Zeri.info.
“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion”, thuhet në njoftim.
Kjo ndërmarrje thotë se 29 punëtorë kanë dalë nga miniera, kurse 18 ende mbeten të ngujuar, të cilët priten të evakuohen në mënyrë të sigurt brenda një intervali kohor prej rreth dy orësh.
“Të gjithë punëtorët janë në gjendje të sigurt, ndërsa ekipet teknike dhe skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar dhe ndodhen në terren për sanimin e gjendjes dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet ndër tjera. /Zëri