Rreziku nga hantavirusi vlerësohet shumë i ulët, IKSHPK-ja apelon për kujdes dhe higjienë
Foto: Laura Hasani

Rreziku nga hantavirusi vlerësohet shumë i ulët, IKSHPK-ja apelon për kujdes dhe higjienë

Aktuale May 08, 2026 - 13:30

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dalë me një informim për qytetarët lidhur me situatën e fundit epidemiologjike me hantavirus, pas rasteve të raportuara në nivel ndërkombëtar.

Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), deri më 6 maj 2026 janë regjistruar shtatë raste me hantavirus në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor, ku tre persona kanë humbur jetën dhe një ndodhet në gjendje kritike. Në disa mostra është konfirmuar prania e virusit Andes (ANDV), i cili është endemik në Argjentinë.

Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare kanë theksuar se transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm në raste të kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur, ndërsa rreziku për popullatën e përgjithshme në BE/EEA vlerësohet si shumë i ulët. Në anije janë ndërmarrë masa parandaluese dhe hetimet laboratorike po vazhdojnë.

Situata në Kosovë

IKSHPK-ja njofton se ethet hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV), të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë, por me incidencë të ulët dhe të qëndrueshme ndër vite.

Gjatë periudhës 2021–2025 janë raportuar gjithsej tetë raste: dy në vitin 2021, një në vitin 2022, dy në vitin 2023, dy në vitin 2024 dhe një rast në vitin 2025.

Çfarë është hantavirusi?

Hantaviruset transmetohen nga brejtësit te njerëzit, kryesisht përmes thithjes së grimcave të kontaminuara nga urina, fekalet ose pështyma e tyre. Në Evropë, sëmundja shfaqet më shpesh si EHSV dhe mund të variojë nga forma të lehta deri te gjendje të rënda me dëmtim të veshkave apo komplikime respiratore.

Periudha e inkubacionit zakonisht zgjat rreth dy javë, por mund të shkojë nga 7 ditë deri në 6 javë.

Rrugët e transmetimit

Sipas IKSHPK-së, hantaviruset që qarkullojnë në Evropë nuk transmetohen nga personi në person, përveç rasteve të dokumentuara të virusit Andes në Amerikën Jugore. Infektimi ndodh kryesisht nëpërmjet ekspozimit ndaj ambienteve të kontaminuara me brejtës.

Personat më të rrezikuar

Në grupin me rrezik më të lartë përfshihen:

Punonjësit e pyjeve

Fermerët

Personat që qëndrojnë ose punojnë në ambiente me prani të brejtësve.

Trajtimi dhe parandalimi

Aktualisht nuk ekziston vaksinë e licencuar në Evropë kundër hantavirusit, ndërsa trajtimi është kryesisht simptomatik dhe mbështetës.

Për parandalim rekomandohet:

Shmangia e kontaktit me brejtësit dhe mbetjet e tyre

Pastrimi dhe mirëmbajtja e rregullt e hapësirave të banimit dhe punës

Ventilimi i ambienteve të mbyllura para pastrimit

Përdorimi i maskës dhe dorezave gjatë pastrimit të hapësirave të dyshuara.

IKSHPK-ja thekson se, duke u bazuar në situatën aktuale, rreziku për popullatën në Kosovë mbetet shumë i ulët, por qytetarët duhet të respektojnë masat bazë të higjienës dhe kujdesit. /Zëri