Partitë e mëdha s’duan koalicione
Përderisa kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundimin e afatit për deklarim të koalicioneve në KQZ, shumica e partive politike janë deklaruar se do të garojnë të vetme, por me konfigurim listash zgjedhore.
Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se në zgjedhje garojnë vetëm me partnerët e deritashëm Alternativën dhe Guxon një numër i anëtarëve të së cilës tashmë e kanë braktisur atë duke iu bashkuar Osmanit.
Këto largime anëtari i LVV-së, Arbër Rexhaj, i ka cilësuar figurativisht si transfere futbolli pa një ndikim në elektoratin e VV-së. Sipas tij, lista e VV-së do të pasurohet me figura të reja.
“Ne si LVV do të garojmë së bashku me partnerët tanë të koalicionit Guxo dhe Alternativa, dhe natyrshëm formacioni ynë politik është i qartë dhe nuk ka të bëjë me koalicione që rëndom ndodhin me subjektet e tjera politike, të cilat i kemi parë si koalicione të zorit, të panatyrshme. Koalicione që nuk kanë të bëjnë me frymë bashkëpunuese ndaj njëra-tjetrës, por që ngjajnë me lojën e futbollit, si transferet e fundit. Këto transfere që po ndodhin janë të panatyrshme dhe në këtë panatyrshmëri nuk shoh interes, por shoh luftë dhe mllef kundër LVV-së. Kur Vjosa Osmani u përjashtua nga LDK-ja e kishte derën e hapur tek ne, ndërsa tani po shkon te një subjekt që është përjashtuar”, tha Rexhaj për rtv21
Pa koalicion me ndonjë parti tjetër në zgjedhje do të garojë edhe PDK-ja. Kësaj së fundmi iu bashkua ish-anëtarja e LVV-së dhe PSD-së, Aida Dërguti, teksa është përfolur edhe bashkëpunimi i mundshëm me Nismën Socialdemokrate.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Mërgim Lushtaku nuk e përjashtoi mundësinë që Fatmir Limaj t’i bashkohet listës së PDK-së, por thotë se ende s’ka asgjë konkrete përderisa nuk ka as kërkesë zyrtare nga Nisma.
“Për mendimin tim personal, Fatmir Limaj është një njeri që është ndër themeluesit e PDK-së dhe ka kontribuar shumë. Ai mund të jetë pjesë e PDK-së, por duhet të pritet deri në datën e fundit. Ka diskutime, kemi pasur një mbledhje dje ku kemi zhvilluar bisedime dhe emri i tij është përmendur, por derisa nuk kemi një kërkesë zyrtare prej tij. PDK është mjaftueshëm e fortë, por sigurisht që ka nevojë që të mund të hyjnë në kuadër të listës së PDK-së”, tha Lushtaku.
PDK-së iu përgjigjen përfaqësues të Nismës Socialdemokrate. Anëtarja e kësaj partie, Albulena Balaj tha se Nisma është e gatshme për bashkëpunim por jo edhe PDK-ja. Ajo la të kuptohet se në rast se nuk arrihet bashkëpunimi me PDK-në, Nisma nuk do të garojë në zgjedhje.
“ Është diskutuar brenda partisë, Nisma ka pasur disponim dhe e ka disponimin ndërkohë që s’kemi marrë disponimin e njëjtë të PDK-së. Kemi parë disa anëtarë të PDK-sw që kanë thënë se nuk ka kërkesë nga ne ndërkohë për koalicione të tilla nuk e di çfarë kërkese duhet tw bwhet, përndryshe ne e kemi pasur dhe e kemi gatishmërinë. Nisma nuk vazhdon vetëm, vetë nuk hyjmë në zgjedhje”, deklaroi ajo.
Si partie e vetme në zgjedhe do të garojë edhe LDK-ja e cila është në prag të zyrtarizimit të bashkëpunimit me Vjosa Osmanin në një listë të vetme zgjedhore.
Edhe përfaqësues të AAK-së kanë deklaruar se në zgjedhje do të marrin pjesë pa ndonjë koalicion zgjedhor.