Nis periudha për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës
Foto: Laura Hasani

Nis periudha për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës

Aktuale May 06, 2026 - 16:35

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për zgjedhjet e  7 qershorit.

Bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe 12-ditore, nga sot deri më 17 maj, qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë brenda komunës së tyre,

“Gjatë kësaj periudhe 12-ditore (6 maj – 17 maj 2025), qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë brenda komunës së tyre, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre:

Përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose

duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi”.

KQZ njëherësh sqaron se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në komunën tjetër, nuk mundësohet drejtpërdrejtë nga KQZ, por kjo është e ndërlidhur me deklarimin zyrtar të adresës së vendbanimit nga qytetarët/votuesit.

“Përmes KQZ-së, votuesi, nëse dëshiron, mund të ndryshojë Qendrën Votimit vetëm brenda komunës, por për të kaluar nga një Qendër Votimi e një komune, në Qendrën e Votimit në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën zyrtare të vendbanimit në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova.

Ndryshimet të cilat do të bëhen nga 6 maj deri më 17 maj 2026, do të reflektohen në platformën elektronike të KQZ-së https://qv.kqz-ks.org pas kësaj periudhe”, thuhet në njoftim.