Fahrije Hoti i bashkohet Vjosa Osmanit për zgjedhjet e 7 qershorit
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Fahrije Hoti i është bashkuar asaj në rrugëtimin politik për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
“E fortë si guri, e pastër si loti, punëtore si askush tjetër, krah i përhershëm për gratë, për Krushën dhe për gjithë Kosovën - e pas 7 qershorit, Fahrije Hoti, deputete e Kuvendit, në përfaqësim të secilit prej jush”, u shpreh Osmani.
Ajo, ndër të tjera, tha se forca që Fahrije Hoti ka është shfaqur shumë herë, madje edhe përballë presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në Këshillin e Sigurimit.
“Fahrija po i bashkohet rrugëtimit tonë politik, sepse ne besojmë në një Kosovë ku dashuria e mund urrejtjen, integriteti dhe puna e ndershme e mundin manipulimin, dhe e vërteta e mund propagandën”, thuhet në postimin e ish-presidentes. /Zëri