Vjosa Osmani me Haxhi Avdylin në Has, marrin pjesë në festivalin tradicional “Hasi Jehon”

Vjosa Osmani me Haxhi Avdylin në Has, marrin pjesë në festivalin tradicional “Hasi Jehon”

Aktuale May 03, 2026 - 17:40

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot në Gjonaj të Hasit, ku i është bashkuar festimeve në kuadër të festivalit tradicional “Hasi Jehon”.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, ajo është shfaqur së bashku me deputetin e disa legjislaturave, Haxhi Avdyli, teksa kanë përshëndetur qytetarët nga ky rajon.

“Përshëndetje. Jemi në Gjonaj të Hasit – një prej vendeve më të bukura në Kosovë”, tha Osmani në fillim të videos.

Ajo theksoi se janë të lumtur që po marrin pjesë në këtë ngjarje kulturore, duke u bashkuar me banorët e Hasit.

“Jemi shumë të lumtur që sot do t’i bashkohemi hasjanëve. Jemi bashkë me dokin, në festivalin ‘Hasi Jehon’”, u shpreh ajo.

Osmani vlerësoi gjithashtu rëndësinë kulturore të këtij rajoni, duke theksuar se Hasi ka ruajtur ndër vite traditat dhe identitetin shqiptar.

“Hasit gjithmonë i është dëgjuar zëri – ky zë ka jehuar nëpërmjet këngëve, valleve dhe veshjeve tradicionale, duke mbrojtur rrënjët shqiptare”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, Haxhi Avdyli u shpreh se janë të lumtur që po i bashkohen, siç tha ai, “njerëzve të mirë dhe punëtorë të Hasit” në këtë festë.