Siguria e barnave në Kosovë mbetet një çështje komplekse
Foto: Laura Hasani

Siguria e barnave në Kosovë mbetet një çështje komplekse

Aktuale May 03, 2026 - 20:56

Tregu farmaceutik në Kosovë ka shënuar rritje të barnave që vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë edhe tregjet aziatike, si Kina, India e Tajvani.

Pavarësisht se këto barna mund të jenë më të lira, ato duhet t'u nënshtrohen rregullave të importit, të përcaktuara me ligjin në fuqi, të rregulluara nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Megjithëkëtë, autoritetet e kësaj agjencie nënvizojnë se nuk kanë arritur të kryejnë inspektimet, konform ligjit, që këto barna t’i nënshtrohen regjistrimit.

“Ka pasur përpjekje nga inspektorët për të marrë viza për në Kinë, por nuk kanë arritur t?i sigurojnë ato, dhe për këtë arsye nuk kanë mundur të realizojnë inspektimet”, ka Virtyte Krasniqi Shala, drejtoreshë e Departamentit të Regjistrimit të Barnave.

“Kur i kemi regjistruar barnat, inspektorët kanë pasur ftesa nga shtetet e përmendura, por AKPPM-ja nuk na është përgjigjur. Tani publikisht i bëjmë ftesë inspektoratit që të vizitojë fabrikat me të cilat bashkëpunojmë dhe t’i inspektojë ato, pasi këto fabrika punojnë me shtetet evropiane dhe më gjerë”,  ka thënë Adem Hasani, farmacist.

Laboratori i Kontrollit të Cilësisë në kuadër të Agjencisë për produkte Medicinale për momentin është në proces rinovimi, gjë që shihet hap pozitiv drejt zgjidhjes së një problemi të kahershëm, për të ngritur kapacitetet dhe furnizimin me pajisje që i mungojnë ndër vite.

“Me sa di nga viti 2003-2004 kur është themeluar agjecioni ne ende nuk kemi laborator që është duke bërë analiza....”, ka thënë farmacisti Milaim Avdullahu.

Fakti që laboratori është në renovim, nuk e ndryshon gjendjen e sigurisë në terren, ndaj kontrollet vazhdojnë të bazohen në metoda alternative.

“Ne kemi një bord etik në kuadër të Odës dhe ai shqyrton çdo ankesë dhe shkelje të ligjit. Deri tani kemi pasur shumë raste ku farmacistët janë dënuar me gjoba, por heqja e licencës nuk ka ndodhur, sepse bordi nuk e ka parë të arsyeshme, meqë nuk ka pasur shkelje të rënda”, ka thënë Kadri Bytyqi kryetar i odes farmaceutike.

Licencat ndërkombëtare janë valide në gjithë botë, ndaj vlerësohet se barnat që qarkullojnë në tregun tonë janë të sigurta./rtk