Kurti jep detaje nga darka e Samitit të EPC në Jerevan, publikon foto edhe me Edi Rama
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në darkën zyrtare të organizuar në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në Jerevan.
Në një postim në Facebook, ai bëri të ditur se “mora pjesë në darkën zyrtare të shtruar nga Presidenti i Republikës së Armenisë”, Vahagn Khachaturyan. Kurti shtoi se në pritjen zyrtare u mirëprit nga Kryeministri armen Nikol Pashinyan dhe Kryetari i Kuvendit, Alen Simonyan.
Duke folur për takimet gjatë mbrëmjes, Kurti theksoi se “pata bashkëbisedime me liderë dhe përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse, ku u shkëmbyen ide, pikëpamje dhe qëndrime mbi zhvillimet aktuale në Evropë dhe më gjerë”.
Ai shtoi se në këto takime u diskutua edhe për bashkëpunimin e ardhshëm, duke theksuar se “u trajtuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”.
Në këtë kuadër, Kurti bëri të ditur se ka zhvilluar takime me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, Presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, si dhe Zëvendëspresidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova.
Po ashtu, ai u takua edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovië, Kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun H. Sinirlioëlu, Kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora, anëtarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beëirovië, si dhe Kryeministren e Lihtenshtajnit, Brigitte Haas.
Kurti theksoi se këto takime janë pjesë e angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve evropiane dhe adresimin e sfidave të përbashkëta.