Si e cenon politika punën e gazetarëve në Kosovë?
Foto: Laura Hasani

Si e cenon politika punën e gazetarëve në Kosovë?

Aktuale May 02, 2026 - 13:26

Ngritja e Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit është një sinjal pozitiv, por duhet të bëhet më shumë që vendi të renditet edhe më lart, vlerëson ligjëruesi i politikave mediale, Jeton Mehmeti.

Ai tha se Kosova në këtë indeks matet me vetveten, e jo me shtete tjera.

“Në indekse të tilla, Kosova matet me vetveten, jo me shtete të tjera. Matet me aspiratat e veta demokratike, matet me synimet drejt orientimeve evropiane, pra duke pasur për bazë modelin dhe standardet e Këshillit të Evropës dhe ato të Bashkimit Evropian”, tha Mehmeti.

Kosova u rendit e 84-ta nga 180 vende për vitin 2026, duke u ngritur për 15 vende nga viti i kaluar.

Megjithatë, një ndër shqetësimet kryesore, sipas Mehmetit, mbetet klima politike ndaj mediave.

Ai thotë se sulmet e politikanëve ndaj gazetarëve, përmes etiketimeve të ndryshme, ndikojnë në punën e tyre.

“Kjo ndikon në vetë censurën e gazetarit, sepse gazetarët të cilët ballafaqohen me thirrje të tilla, me etiketime të tilla, pastaj do ta kenë shumë më të vështirë që ta bëjnë punën e vet”, shprehet Mehmeti.

Sipas tij, pesha e fjalëve të njerëzve të cilët janë në pushtet, të cilët kanë vota, të cilët kanë çfarëdo partie politike, është më e madhe dhe ka ndikim më të madh sesa fjala e një individi të thjeshtë.

Mehmeti përmend rritjen e sulmeve verbale dhe fushatave online ndaj gazetarëve si faktor që ka ndikuar në rëniet e mëhershme në renditje.

Përveç presionit të jashtëm, Mehmeti vë në dukje edhe përgjegjësinë e brendshme të mediave.

Ai kujton se mbi 50 për qind të ankesave të shqyrtuara në vitin 2025 nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës kanë rezultuar me shkelje të kodit të etikës, kryesisht nga mediat online.

“Kjo tregon se mosrespektimi i standardeve profesionale mbetet një sfidë serioze”, thotë Mehmeti.

Me gjithë sfidat, Mehmeti e sheh pluralizmin medial si një nga pikat më të forta të Kosovës.

“Nuk kemi monopol mbi të vërtetën, por diversitet të mediave dhe opinioneve”, thotë ai, duke theksuar se kjo i jep qytetarëve mundësi për të krahasuar dhe për të krijuar qëndrime të informuara.

Për të përmirësuar më tej situatën, Mehmeti rekomandon përditësimin e legjislacionit në përputhje me standardet evropiane, krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm financiarë për mediat dhe ndërtimin e një kulture më bashkëpunuese mes politikës dhe gazetarisë. /REL