DHTIK: Kriza politike dhe zgjedhjet po krijojnë pasiguri serioze për ekonominë kosovare

DHTIK: Kriza politike dhe zgjedhjet po krijojnë pasiguri serioze për ekonominë kosovare

Aktuale May 02, 2026 - 12:40

Kriza politike në vend dhe shkuarja në zgjedhje të reja po krijojnë pasiguri serioze për ekonominë e Kosovës, duke rrezikuar stabilitetin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

Kështu u tha në takimin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) me komunitetin e biznesit, të shtunën.

Kryetari i Bordit, Skender Krasniqi dhe Kryetari i Kuvendit të DHTIK-së, Hamdi Malushaj,

theksuan se përkundër sfidave të shumta me të cilat u përball Kosova që nga fillimi i vitit të kaluar, Dhoma ka qenë vazhdimisht aktive në adresimin e sukseseve dhe problemeve të sektorit privat.

Nga ana tjetër, drejtori Ekzekutiv, Kushtrim Ahmeti, theksoi se zgjedhjet e shpeshta po prodhojnë kosto të drejtpërdrejta për ekonominë.

“Çdo proces i ri zgjedhor nënkupton muaj të tërë të humbur për vendimmarrje dhe projekte zhvillimore. Kjo po u kushton bizneseve me vonesa, humbje financiare dhe pasiguri të mëdha për të ardhmen dhe investimet. Ekonomia nuk mund të presë pafundësisht cikle politike – ajo ka nevojë për stabilitet të menjëhershëm”, deklaroi ai.

Në këtë takim, përfaqësues të bizneseve shpalosën sfidat me të cilat po përballen, duke përfshirë rritjen e kostove të prodhimit, importin e madh, mungesën e mbështetjes institucionale dhe vonesat e shumta në vendimmarrje.

Ata nënvizuan rolin e DHTIK-së si një zë i fuqishëm i bizneseve që lobon për zgjidhje konkrete, propozon politika lehtësuese dhe ndërmjetëson komunikimin ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.

Në takim u potencua edhe rëndësia e krijimit të një stabiliteti politik si parakusht për zhvillim ekonomik, e po ashtu edhe nevoja për vendime të shpejta dhe të qëndrueshme.

Të pranishmit u dakorduan që të intensifikohet komunikimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, me qëllim të adresimit më efektiv të sfidave dhe mbrojtjes së interesave të komunitetit të biznesit në këtë periudhë sfiduese.

Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja më 7 qershor për shkak se politika dështoi ta zgjedh presidentin e shtetit, deri më 28 prill, siç e kërkonte Kushtetuta . Këto janë votimet e treta nacionale që mbahen në vend, nga shkurti 2025. I gjithë viti i kaluar u shoqërua me një ngërç politik, për shkak të pamundësisë së politikës që të gjejë një zgjidhje për ndërtimin e institucioneve.

Situatat si këto e dëmtojnë ekonominë. Dhoma e Tregtisë, por edhe odat tjera ekonomikë kanë bërë thirrje gjatë gjithë kohës për stabilitet politik, i cili garanton edhe operim normal të ekonomisë.