Miftaraj: Legjislatura e dhjetë duhet të njihet si legjislatura “Karate”
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se legjislatura e dhjetë e Kuvendit, e cila u shpërnda në mesnatë, duhet të njihet si “Legjislatura Karate”, duke ironizuar me procedurën e nisur nga partia në pushtet për zgjedhjen e presidentit, që në fund nuk u bë, në mungesë të kuorumit në Kuvend.
Miftaraj tha se deputeti i LVV-së, Naim Bardiqi, i cili u kap duke i shkruar dikujt në telefon se po e zgjidhnin presidentin “karate” ka lënë “trashëgimi diçka”.
“Legjislatura e dhjetë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë duhet të njihet ndryshe dhe si “Legjislatura Karate”.
“Naim Bardiqi mbase nuk do të njihet për ndonjë punë të mirë si deputet i Legjislaturës Karate por së paku ka lënë trashëgimi diçka, na tregoi se si mund të zgjidhet Presidenti i Republikës Karate dhe si publiku dhe gazetarët nuk ia respektuan privatësinë në një vend publik i rrethuar me kamera në seance plenare”, shkroi ai në një postim në Facebook.