Në Spitalin e Mitrovicës kryhet me sukses një operacion për kancerin e vezoreve

Në Spitalin e Mitrovicës kryhet me sukses një operacion për kancerin e vezoreve

Aktuale April 27, 2026 - 11:02

Në spitalin e përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është realizuar me sukses një operacion tejet sfidues te një paciente e diagnostikuar me kancer të vezoreve në stad të avancuar.

Bëhet e ditur se për shkak të natyrës së sëmundjes, operacioni ka përfshirë një procedurë të gjerë kirurgjikale për eliminimin e pjesës malinje, duke kryer histerektomi totale me adneksektomi bilaterale (largimin e mitrës bashkë me të dyja vezoret dhe tubat e Fallopit).

Po ashtu, u krye omentektomi infra-kolike (largimi i cipës dhjamore të zorrëve) dhe apendektomi (largimi i zorrës së verbër).

“Ky sukses mjekësor vjen si rezultat i profesionalizmit të lartë të ekipit të gjinekologëve dhe stafit mbështetës, duke konfirmuar kapacitetet e spitalit për trajtimin e rasteve të rënda. Ndërhyrja u udhëhoq nga mjekët specialistë: Dr. Arben Hajrizi, Dr. Granit Zogaj dhe Dr. Vjollca Çitaku, specialistë të gjinekologjisë, Dr. Arbër Bardhaj, specialist i anesteziologjisë, Xhemë Peci, teknik i anestezionit, si dhe instrumentaret Besarta Tahiri dhe Vildane Aliu”, thuhet tutje në njoftim. /Zëri