Drejtori i Arsimit në Prishtinë nis aksion në shkolla për evidentimin e mungesave të nxënësve
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, ka njoftuar se të hënën ka ndërmarrë një aksion në shkollat fillore të mesme të kryeqytetit për evidentimin e mungesave të nxënësve në shkolla.
Sipas tij, gjendja është shqetësuese dhe se mungesat e paarsyeshme japin një sinjal për probleme më të thella në procesin arsimor, shkruan Zeri.info.
Shahini tha se sipas raportimeve në nivel vendi ka rreth katër milionë mungesa në një gjysmëvjetor dhe prej tyre një milion janë të paarsyeshme.
“Zgjidhja nuk është e njëanshme. Prindërit janë partnerë kyçë dhe pa përfshirjen e tyre nuk mund të ketë ndryshim real. Në ditët në vijim do të intensifikojmë komunikimin me ta dhe do të ndërmarrim hapa konkretë, që mungesa të tilla të mos kalojnë pa përgjegjësi”, u shpreh ndër të tjera ai. /Zëri