Haxhiu për Rexhep Qosjen: Kontribuoi në mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar
Sot në Kuvendin e Kosovës është mbajtur një seancë përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e akademikut Rexhep Qosja.
Në fjalën e saj, u.d. e presidentes, Albulena Haxhiu, vlerësoi lart figurën e Qosjes.
Sipas saj, ai e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, polemike e vetëdijeje dhe përgjegjësie historike.
“Rexhep Qosja jetoi dhe veproi në një kohë kur shqiptarëve u kërkohej vazhdimisht ta dëshmonin gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën e tyre politike. Në atë kohë, ai u përgjigj me vepra”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu po ashtu vlerësoi lart kontributin e tij për mbrojtjen e identitetit kombëtar.
“Ai ishte një zë i qartë kundër shtypjes, kundër padrejtësive dhe përpjekjeve për mohimin e identitetit tonë kombëtar”, theksoi ndër të tjera ajo. /Zëri