Haradinaj për Sali Çekajn: Heroizmi i tij dhe bashkëluftëtarëve mbetet në historinë e Kosovës

Haradinaj për Sali Çekajn: Heroizmi i tij dhe bashkëluftëtarëve mbetet në historinë e Kosovës

Aktuale April 19, 2026 - 13:46

Në Akademinë Përkujtimore kushtuar heroit Sali Çekaj, në përvjetorin e rënies së tij, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar veprën heroike të tij dhe sakrificën për liri të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Haradinaj theksoi se Sali Çekaj ishte luftëtar dhe atdhetar i hershëm, kontribues në lëvizjet kombëtare dhe krijues i pikëpamjeve të rëndësishme luftarake, i cili ra heroikisht 27 vjet më parë së bashku me bashkëluftëtarët e tij: Shefqet Mustafaj, Mejdi Korrani, Luan Gashi, Ilir Hoxha, Hysni Temaj, Izet Morina, Bejtë Kajdomçaj, Aziz Gashi, Afrim Stajku, Fatos Limani, Fisnik Ibrahimi dhe Leonard Palucaj.

“Ata ranë për të mbetur përjetësisht në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

Në të njëjtën kohë, ai ka kujtuar edhe dëshmorët e Brigadës 136 “Rugova”, duke nderuar komandantin Selman Lajçi dhe luftëtarët e rënë në pranverën e përgjakur në Rugovë e Podgur: Besnik Lajçi, Afrim Gjuraj, Ramë Lajçi, Ramush Lajçi, Ramiz Brahimaj, Sherif Brahimaj, Xhavit Lajçi, Asllan Nikqi, Faton Nikqi, Rifat Shala, Osë Osaj, Sokol Nikqi, Sokol Lajçi dhe Tone Lajçi.

Haradinaj ka theksuar se misioni historik për liri dhe pavarësi është realizuar falë sakrificës së luftëtarëve çlirimtarë, duke shtuar se heroizmi i tyre do të kujtohet ndër breza.