Kurti pret deputetin e zgjedhur shqiptar në Parlamentin Federal të Zvicrës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim deputetin e ardhshëm zviceran me origjinë shqiptare, Arbër Bullakaj, i cili pritet të nisë mandatin në fund të këtij muaji.
Gjatë takimit, Kurti e uroi Bullakajn për zgjedhjen në Parlamentin Federal të Zvicrës, duke theksuar se ai bëhet vetëm personi i dytë me rrënjë nga Kosova, pas Islam Alijaj, që fiton mandat në këtë institucion.
Me origjinë nga Suhareka dhe i zhvendosur në Zvicër gjatë viteve ’90, Bullakaj është aktiv në politikën zvicerane prej më shumë se dy dekadash. Ai mban funksione të rëndësishme në Partia Socialdemokrate e Zvicrës, ku është anëtar i këshillit federal, president i SP Migrante në kantonin St. Gallen dhe kryetar i Komitetit të Iniciativës Demokratike për reformën e shtetësisë.
Kjo iniciativë, e cila ka mbledhur mbi 100 mijë nënshkrime dhe i është dorëzuar parlamentit në nëntor 2024, synon lehtësimin e procedurave për fitimin e shtetësisë zvicerane.
Në takim u diskutua për integrimin dhe sukseset e mërgatës në Zvicër, si dhe për kontributin e tyre në zhvillimin e Kosovës. Po ashtu, u shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim konkret në të ardhmen, përfshirë avokimin për Kosovën dhe forcimin e lidhjeve kulturore, politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve. /Zëri