Kurti kujton Sinan Dautin: Çdo i rënë për liri meriton kujtim të përhershëm
Kryeministri Albin Kurti ka shpërndarë një fotografi nga ngushëllimet që u ka shprehur sot familjes Dauti në Prekaz të Epërm të Skenderajt, i cili u zhduk në moshën 9-vjeçare nga forcat serbe.
“Pasditen e sotme bashkë me ministrin, Andin Hoti, ishim për ngushëllime në familjen Dauti në Prekaz të Epërm të Skenderajt. Eshtrat e tij u gjetën së fundmi në varrezat e fshatit Suhodoll të Mitrovicës. Dhimbja e kësaj familjeje nuk është vetëm e tyre, është plagë e hapur e gjithë popullit tonë”, ka shkruar Kurti në facebook.
Kurti më tej tha se në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve i ka rrënjët liria dhe themelet e shtetit.
“Rivarrosja e eshtrave të Sinanit, është një akt i rëndë emocional, por edhe një akt i vonuar i dinjitetit njerëzor. Sepse çdo i rënë për liri meriton emër, vend dhe kujtim të përhershëm”, shkroi ai.
“Pa drejtësi nuk ka paqe të plotë dhe pa të vërtetën nuk ka pajtim të qëndrueshëm”, tha ai.