Rikthimi i Ligjit për sigurime shëndetësore, ish-ministrat skeptikë: Rrezikon të mbetet vetëm në letër
Foto: Ilustrim

Rikthimi i Ligjit për sigurime shëndetësore, ish-ministrat skeptikë: Rrezikon të mbetet vetëm në letër

Aktuale April 14, 2026 - 09:04

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, teksa partitë opozitare kërkuan më shumë informacione nga Qeveria lidhur me pagesat dhe pakot që do të ofrohen.

Projektligji u miratua me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Shqyrtimi i dytë i projektligjit do të bëhet më 23 prill.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme.

Ai tha se ky projektligj po ashtu siguron fonde të qëndrueshme për sistemin shëndetësor.

Pyetja se a presin të nisë zbatimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore dhe cilat do të jenë përfitimet dhe humbjet për qytetarët që deri tani nuk e kanë pasur këtë ligj, kanë folur ish-ministrat e Shëndetësisë.

Ata kanë dhënë vlerësimet e tyre lidhur me rëndësinë e ligjit dhe ndikimin që ai mund të ketë në mbrojtjen financiare dhe qasjen në shërbimet shëndetësore.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani është shprehur se miratimi i serishëm i Ligjit për Sigurime Shëndetësore është një hap i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm për sukses.

“Miratimi i serishëm i këtij ligji nga Qeveria është një hap i rëndësishëm, por duhet theksuar se miratimi në vetvete nuk garanton zbatim të suksesshëm. Përvoja e deritanishme tregon se sfida kryesore nuk ka qenë mungesa e ligjit, por mungesa e përgatitjes institucionale për ta zbatuar atë”, deklaroi Agani për Front Online.

Sipas Aganit, nëse nuk adresohen çështjet kyçe strukturore, ekziston rreziku që ligji të mbetet vetëm formal.

Agani paralajmëroi se pa këto reforma, ligji vështirë se do të sjellë ndryshime reale në sistemin shëndetësor.

“Nëse nuk adresohen qartë çështjet strukturore si funksionalizimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, mekanizmat e mbledhjes së premiumeve, si dhe transformimi i ofruesve publikë të shërbimeve shëndetësore në subjekte të kontraktueshme dhe të përgjegjshme për performancën – atëherë rreziku është që ligji të mbetet më shumë një instrument formal sesa një reformë reale”, tha Agani.

Ish-ministri ka shpjeguar se cilat kanë qenë humbjet e qytetareve në mungesë të këtij ligji.

“Humbja kryesore e qytetarëve ka qenë mungesa e mbrojtjes financiare. Një pjesë e madhe e shpenzimeve për shëndetin në Kosovë, sipas studimit të fundit të prezantuar sot të Institutit të Evropës Juglindore për Shëndet dhe Politika Sociale 38-40% mbulohet drejtpërdrejt nga qytetarët (pagesa ‘nga xhepi’. Ka munguar një sistem më i drejtë dhe më transparent i financimit, që do të siguronte qasje më të barabartë në shërbime cilësore”, ka thënë Agani.

Agani ka vlerësuar se zbatimi i plotë i Ligjit për Sigurime Shëndetësore mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët.

Ai tha se një nga efektet kryesore pritet të jetë ulja graduale e pagesave direkte nga xhepi dhe rritja e mbrojtjes financiare.

“Nëse ligji zbatohet në mënyrë të plotë përfitimet për qytetarët mund të jenë të konsiderueshme. Pritet një ulje graduale e pagesave direkte nga xhepi dhe rritje e mbrojtjes financiare, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme. Sigurimi shëndetësor krijon mundësinë për organizim më të mirë të shërbimeve, nëpërmjet kontraktimit të ofruesve të shërbimeve shëndetësore dhe lidhjes së financimit me performancën dhe cilësinë”, deklaroi Agani

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se Ligji për sigurime shëndetësore është miratuar për herë të parë nga Kuvendi në prill të vitit 2014.

Miratimin e serishëm të këtij ligji, Rrahmani e vlerësoi si sinjal pozitiv, por po anashkalohet.

“Është sinjal pozitiv që po diskutohet dhe po riaktualizohet nevoja për sigurimet shëndetësore. Duhet të thuhet një e vërtetë për opinionin që me qëllim po anashkalohet. Ky ligj për herë të parë është miratuar nga Kuvendi në prill të vitit 2014. Në periudhën 2015–2017 është punuar intensivisht për implementimin e ligjit në fjalë, dhe si rezultat i kësaj pune ka lindur nevoja e plotësim-ndryshimit të tij në mënyrë që të përshtatet plotësisht me ligjet e tjera që interferojnë në këtë fushë”, deklaroi Rrahmani.

Sipas tij, disa ndryshime janë miratuar në dhjetor të vitit 2016 në Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, por nuk kanë arritur të procedohen në Kuvend për shkak të zhvillimeve politike.

“Plotësim-ndryshimi ka kaluar në dhjetor 2016 në qeverinë ‘Mustafa’. Ligji nuk ka shkuar në Kuvend për shkak të votëbesimit ndaj qeverisë dhe shkuarjes në zgjedhje. Dikush edhe mund të ketë dyshime në këtë që po them, por argument i prekshëm është themelimi në atë kohë dhe ekzistimi edhe sot i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, institucion ky që bazën e ka te Ligji i Sigurimeve i vitit 2014”, ka thënë ai.

Ai ka vënë në dukje se kjo periudhë 12-vjeçare tregon se nga miratimi deri te implementimi i ligjit ka pasur shumë sfida.

“Nga shtatori i vitit 2017 deri në vitin 2025 nuk është bërë asnjë hap përpara. Në vitin 2025 përsëri ligji ka kaluar në Qeveri, por tash me ndryshime që i ka kontestuar Gjykata Kushtetuese. Kjo periudhë 12-vjeçare e mosimplementimit të ligjit dëshmon se nga miratimi i ligjit deri te implementimi ka shumë sfida”, u shpreh ai.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë nuk mund ta implementojë ligjin vetëm, pa mbështetjen e ministrive të tjera, bizneseve private dhe shoqërisë civile.

“Uroj që më në fund kjo të merret seriozisht dhe të implementohet ky ligj, i cili krijon shumë favore edhe për pacientët, edhe për institucionet shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse, por në asnjë mënyrë nuk mund ta implementojë ligjin nëse nuk ka mbështetje të gjerë nga ministritë e tjera, bizneset private dhe shoqëria civile”, potencoi Rrahmani

Ish-anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka folur pas miratimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, duke thënë se bëhet fjalë për një draft të përgatitur vite më parë.

Dreshaj shprehet se bëhet fjalë për një ligj cilësor, nga i cili qytetarët pritet të përfitojnë.

Megjithatë, ai ngriti shqetësimin për mungesë të vullnetit politik ndër vite për zbatimin e tij.

“Ky ligj është i hartuar shumë më herët në qeverisjen e para kaluar për shkak të shkeljes së procedurave në proces të formësimit të ligjit ka përfunduar në Kushtetuese ajo ka kërkuar që të respektohen hapat e domosdoshëm të cilët janë lehtësuar më vonë dhe meqë ai ligj është në formën kur un kam qenë pjesë e Komisionit për Shëndetësi që e kemi hartuar bashkë me të gjitha grupet parlamentare është ligj i mirë dhe qytetarët do të kenë të mira të mjaftueshme prej tij”, tha Dreshaj.

Ai paralajmëroi se edhe pas miratimit zbatimi i ligjit nuk do të jetë i menjëhershëm.

Sipas tij, priten vonesa dhe funksionalizimi i plotë i sistemit të sigurimeve shëndetësore nuk do të ndodhë në një afat të shkurtër.

“Mungon vullneti politik, ne kemi pas ligj që nga 2015 deri në legjislaturën e parakaluar 2, nuk ka pasur vullnet politik për implementimin e këtij ligji. Ky ligj nuk është lehtë që të implementohet, sepse kërkon disa parakushte që duhet të plotësohen para se të fillon funksionalizimi i tij, do të ketë zhagitje dhe nuk pritet shpejt që të funksionalizohet”, ka deklaruar Dreshaj.

Më 9 janar 2026, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të shfuqizojë Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i miratuar më 12 dhjetor 2024 nga Kuvendi i Kosovës. Ky vendim u mor së bashku me shfuqizimin e mbi 10 ligjeve të tjera përmes dy aktvendimeve të ndara.

Ligji ishte dërguar në shqyrtim nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ngriti dyshime mbi shkelje procedurale gjatë miratimit të tij.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar për herë të parë këtë ligj në gusht të vitit 2014.