Haxhiu përkujton familjen Berisha në 27-vjetorin e masakrës

Haxhiu përkujton familjen Berisha në 27-vjetorin e masakrës

Aktuale March 26, 2026 - 20:46

Sot, në përvjetorin e masakrës së familjes Berisha në Suharekë, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, nderoi 50 anëtarët e kësaj familje të cilët u vranë në mënyrë mizore nga forcat serbe.

Forcat serbe hynë në shtëpitë e tyre, i nxorën me dhunë dhe i grumbulluan, duke i dërguar më pas në një lokal ku i detyruan të qëndrojnë të gjithë bashkë. Më pas i sulmuan me plumba e bomba.

“Edhe pas vrasjes, trupat u zhdukën, në përpjekje për ta fshirë të vërtetën. Me respekt të veçantë i nderojmë të mbijetuarit, Vjollcën, Shyhretën dhe Gramozin që mbajnë gjallë kujtesën dhe të vërtetën për këtë krim të Serbisë”, theksoi kryetarja Haxhiu.

I mbijetuari Gramoz Berisha ndërkaq tregoi përjetimet e tij nga 27 vjet më parë, kur ishte vetëm 8 vjeçar, si dëshmi e një krimi çnjerëzor që synonte zhdukjen e një familjeje të tërë dhe fshehjen e së vërtetës.