Pacolli reagon ashpër ndaj deklaratave të Plavës në rastin e Liridona Ademaj: Emri im nuk është alibi
Foto: Laura Hasani

Pacolli reagon ashpër ndaj deklaratave të Plavës në rastin e Liridona Ademaj: Emri im nuk është alibi

Aktuale March 26, 2026 - 22:04

Gjatë seancës gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademaj, i akuzuari Granit Plava ka dhënë dëshmi tronditëse, duke pretenduar se Naim Murseli i kishte premtuar mbrojtje përmes emrave të lartë shtetërorë.

Plava para trupit gjykues tha se Murseli i kishte thënë se për rastin ishte në dijeni edhe Behgjet Pacolli, duke i premtuar se, falë këtij ndikimi, ai nuk do të qëndronte në burg më shumë se dy vjet.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar ish-presidenti Behgjet Pacolli, i cili i përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, raporton Zeri.info.

"Njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti e që, sapo ua ndal dorën, kthehen kundër teje me helm, përgojim dhe pabesi", ka shkruar Pacolli.

Postimi i plotë:

Njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti, e që, sapo ua ndal dorën, kthehen kundër teje me helm, përgojim dhe pabesi.

Ata harrojnë të mirat që kanë marrë, harrojnë dorën që i ka mbajtur dhe fjalën që i ka mbrojtur. Dhe kur nuk munden më ta mbajnë peshën e zgjedhjeve të veta, kërkojnë të shpëtojnë duke përmendur emra që nuk u përkasin më jetës së tyre. Kjo nuk është forcë. Kjo është varfëri karakteri.

Po e them qartë: jam distancuar prej kohësh nga çdo njeri dhe nga çdo rrugë që nuk më përfaqëson. Ndihma që i kam dhënë dikujt dikur ka qenë njerëzore, por zgjedhjet që ai ka bërë më pas i përkasin vetëm atij.

Askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin tim për alibi, për mbrojtje apo për larje imazhi. Emri im nuk është strehë për askënd që përpiqet të fshehë të vërtetën pas emrit të tjetrit.

Kam heshtur nga dinjiteti, jo nga frika. Por heshtja ime nuk është dobësi. Është refuzim për të rënë në nivelin e atyre që, pasi ushqehen nga mirësia, e kthejnë atë në helm.

Dhe në fund, njeriu nuk bëhet i lig nga mungesa e përkrahjes; ai thjesht tregon atë që ka qenë brenda tij gjatë gjithë kohës. /Zëri