Paralajmërim për erëra të forta në Kosovë, IHMK-ja me njoftim

Paralajmërim për erëra të forta në Kosovë, IHMK-ja me njoftim

Aktuale March 26, 2026 - 14:38

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar një njoftim për kushte të përkeqësuara meteorologjike për sot, duke paralajmëruar për erëra të forta në territorin e vendit.

Sipas këtij institucioni, era është kategorizuar në nivelin e verdhë, që nënkupton rrezik të ulët, por që kërkon kujdes të shtuar nga qytetarët. Shpejtësia e erës pritet të arrijë mbi 24 metra në sekondë (mbi 85 km/h), veçanërisht në lartësi mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, transmeton Zeri.info.

Në njoftim theksohet se këto kushte mund të shkaktojnë dëmtime të pronës, probleme në transport, si dhe dëmtime në pyje dhe pemë dekorative, përfshirë thyerje të degëve. Po ashtu, rrezik shtesë paraqitet për punimet në ndërtimtari, sidomos ato që zhvillohen në lartësi.

Erërat e forta mund të ndikojnë edhe në objekte të ekspozuara si shtyllat elektrike, reklamat dhe kulmet e ndërtesave, duke rritur potencialin për incidente.

Megjithëse fenomenet e tilla nuk konsiderohen të rralla, autoritetet këshillojnë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin përditësimet e motit dhe të shmangin aktivitetet e panevojshme në ambiente të hapura gjatë periudhave me erë të fuqishme. /Zëri

Image