A është penduar për shpalljen “non grata” të Berishës? Blinken: Nuk kam asnjë dyshim për këtë vendim

A është penduar për shpalljen “non grata” të Berishës? Blinken: Nuk kam asnjë dyshim për këtë vendim

Aktuale March 26, 2026 - 20:27

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është pyetur gjatë një bashkëbisedimi “Harvard Institute of Politics”, për vendimin e shumë debatuar të vitit 2021 për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha.

Blinken theksoi se qëndron plotësisht pas sanksioneve të vendosura nga Departamenti Amerikan i Shtetit ndaj Berishës, duke nënvizuar se nuk ka asnjë dyshim apo hezitim për këtë vendim.

“Unë qëndroj plotësisht pas sanksioneve të vendosura ndaj z. Berisha. Nuk kam asnjë hezitim apo dyshim për këtë vendim, aspak”, u shpreh ai para një audience të mbushur në Harvard.

Pyetja u drejtua nga shtetasi shqiptar Fatjon Semanjaku, i cili duke rikujtuar vendimin e administratës së mëparshme amerikane për shpalljen "non grata" të Berishës, dhe faktin që Blinken e cilësoi kryeministrin Edi Rama "lider të shquar" gjatë një vizite në Shqipëri, i drejtoi këtë pyetje: "Dua të di sa i “shquar” duhet të jem që dyert e Zyrës Ovale të hapen në rast se bëhem kryeministër i Shqipërisë kur në Shtëpinë e Bardhë rikthehet fraksioni mafioz i George Soros i së majtës së sotme shumë shumë shumë malinje?"

Ish-Sekretari Blinken u përgjigj duke thënë: "Ju thatë që mund të zgjedh përgjigjen që dua t’i përgjigjem. Shikoni, para së gjithash më vjen shumë, shumë keq për atë që keni kaluar personalisht. Askush nuk duhet të kalojë nëpër atë që përshkruat. Por, unë qëndroj plotësisht pas sanksioneve të vendosura ndaj z. Berisha. Nuk kam asnjë hezitim apo dyshim për këtë vendim, aspak. Kjo nuk flet për mangësitë e administratës, por flet për mangësitë e Berishës dhe unë do të vazhdoj të qëndroj pas kësaj. Është thjesht një ndryshim gjykimi."

Kujtojmë që kryedemokrati Sali Berisha e konsideroi shpalljen e tij "non grata" një veprim të padrejtë, i diktuar nga roli i George Soros.