Kosova dhe Italia zbatojnë marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë

Kosova dhe Italia zbatojnë marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë

Aktuale March 19, 2026 - 10:25

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka nisur zbatimi i Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit tatimor në fushën e tatimit në të ardhura.

Sipas njoftimit, kjo marrëveshje synon avancimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve, si dhe forcimin e bashkëpunimit në çështjet tatimore. Ajo u mundëson individëve dhe bizneseve të shmangin barrën e tatimit të dyfishtë, duke krijuar kushte më të favorshme për investime dhe zhvillim ekonomik.

Marrëveshja parasheh gjithashtu masa për parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore, duke kufizuar përdorimin e skemave që çojnë në mosdeklarim apo deklarim të pasaktë të të ardhurave. Në të përcaktohen qartë kategoritë e personave të mbuluar dhe mënyra e trajtimit të të ardhurave për qëllime tatimore.

Ajo zbatohet për personat rezidentë të njërit ose të të dy shteteve kontraktuese dhe trajton të ardhurat që burojnë përmes subjekteve apo aranzhimeve të ndryshme, në përputhje me legjislacionin përkatës të secilit shtet.

Po ashtu, marrëveshja garanton respektimin e të drejtave tatimore të dy shteteve, duke përcaktuar rastet kur përfitimet nga kjo marrëveshje mund të aplikohen.

Zbatimi i saj konsiderohet hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë ligjore për investitorët dhe bizneset që operojnë në të dy vendet, si dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosova dhe Italia.

Aktualisht, Kosova ka në fuqi gjithsej 22 marrëveshje ndërkombëtare për eliminimin e tatimit të dyfishtë me shtete të ndryshme. /Zëri