Procesi i Berlinit, Albin Kurti e Edi Rama në listën e të ftuarve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrin pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet pasnesër në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi.
Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe ai i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare.
Në samit do të marrë pjesë edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë qëndrimit në Mal të Zi do të zhvillojë takime me udhëheqësit e vendit dhe përfaqësues të tjerë politikë.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, Kos do të diskutojë me përfaqësuesit malazezë për përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për reformat e nevojshme në këtë proces.
Ndërkaq, mediat malazeze raportojnë se komisionarja evropiane pritet të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin do të diskutojë zhvillimet e fundit në vend.
Bashkëpunimi rajonal, ndërlidhja dhe integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të jenë ndër temat kryesore të samitit.
Në listën e publikuar nga Qeveria e Malit të Zi figurojnë edhe drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Botërore, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal.