Haradinaj: Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në gjithë Kosovën, nevojitet veprim i menjëhershëm
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet në mbarë vendin, duke theksuar se dëmet janë të mëdha dhe se kërkohet reagim urgjent institucional.
Sipas Haradinajt, përmbytjet kanë goditur rëndë shtëpi, biznese dhe ekonomi familjare në gjithë Kosovën, duke krijuar një gjendje që nuk mund të presë. Ai ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet, përfshirë vlerësimin urgjent të dëmeve dhe mbështetje direkte për familjet e prekura.
“Fondet emergjente duhet të ndahen pa vonesë, ndërsa buxheti i vitit 2026 duhet të përshtatet dhe të reflektojë qartësisht këtë fatkeqësi,” ka theksuar Haradinaj, duke shtuar se “dora e shtetit duhet të ndjehet menjëherë dhe përgjatë gjithë vitit 2026”.
Ai ka bërë thirrje që institucionet të rrisin gatishmërinë dhe të jenë të pranishme në terren, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe përgjegjësisë institucionale në këtë situatë emergjente.
Po ashtu, Haradinaj ka shprehur përkrahje të plotë për zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe shtabet emergjente, të cilët, sipas tij, janë në vijën e parë pranë qytetarëve të prekur nga përmbytjet. /telegrafi