Shkrimtari i famshëm italian për Thaçin: Imagjinojeni sikur çliruesi i Italisë të akuzohej për krime lufte 25 vjet pas çlirimit
“Imagjinoni që në vitin 1970, 25 vjet pas çlirimit (të Italisë), Sandro Pertini të ishte burgosur dhe gjykuar për krime të kryera nga partizanët që ai udhëhoqi në vitet 1943-45. Sureale apo? Megjithatë, kjo po i ndodhë Hashim Thaçit, 57 vjeç, ministër, kryeministër dhe më në fund president i Kosovës deri në vitin 2020, më parë komandant i rezistencës kundër Serbisë gjatë luftës së vitit 1999, i konsideruar baba i kombit së bashku me të ndjerin Ibrahim Rugova”.
Kështu fillon shkrimi nga gazetari dhe shkrimtari i njohur italian Mauro Suttora, i publikuar në mediumin prestigjioz amerikan HuffPost (ish The Huffington Post), në edicionin e gjuhës italiane.
Suttora shkruan se “ish-presidenti kishte rënë dakord të dilte në gjyq për krime lufte së bashku me tre udhëheqës të tjerë të UÇK-së” si kompromis “për të fituar pranimin e pavarësisë së Kosovës nga 90 vendeve (nga 190) që ende nuk e njohin pavarësinë dhe për të lehtësuar hyrjen e Kosovës në BE”.
Pasi sqaron historikun e themelimit të Gjykatës Speciale, Suttora shkruan se “ndërkohë, demonstratat vazhdojnë në Prishtinë: Kosovarët vazhdojnë t’i konsiderojnë komandantët e tyre partizanë, të burgosur për pesë vjet, si heronj. Dhe mund të imagjinohen vetëm protestat kundërshtare në Serbi, të mbështetura nga Rusia, nëse ata lirohen nga akuzat”.
Ai përmend edhe faktin se Drejtësia Ndërkombëtare po dështon në Kosovë, derisa thekson faktin se Specialja (një gjykatë hibride) po kushton miliona euro dhe kjo po rebelon edhe zyrtarët amerikanë.
“Shkurt, nëse ky gjyq kishte për qëllim të krijonte një proces ‘drejtësie dëmshpërblyese’ midis kosovarëve dhe serbëve, rezultati është i kundërt: tensionet janë më të acaruara se më parë. E drejtë ndërkombëtare e dobët”, shkruan Suttora.