Reagon qeveria: Veliaj nuk do të shkarkohet si kryetar i Bashkisë së Tiranës

Reagon qeveria: Veliaj nuk do të shkarkohet si kryetar i Bashkisë së Tiranës

Aktuale February 11, 2025 - 16:26

Nga qeveria i janë përgjigjur interesit të mediave për një shkarkim të mundshëm nga Këshilli i Ministrave të Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, pas arrestimit të tij me kërkesë të SPAK.

“Përgjigja është që jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, po nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë te jemi garantë te palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Cilado qoftë ajo”.

Duke qëndruar në të njëjtën linjë me qëndrimin e shprehur sot nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se Veliaj u mor nga vendi i punës dhe u dërgua në qeli pa gjyq, në reagim nënvizohet se “jemi në kushte tërësisht të ndryshme nga të gjitha rastet e mëparshme”.Sipas qeverisë arrestimi i Veliajt nuk erdhi si pasojë e një çështje konkrete korrupsioni për të cilën ka një aktakuzë.

“Jemi përpara një romani voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe bashkëshortes së tij. Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike. Por është ende shumë herët për te dalë në përfundime, prandaj rezervojmë të drejtën për të marrë kohë”.

Në vijim në reagim thuhet se Erion Veliaj është hequr nga puna si kryetari i bashkisë së kryeqytetit, “për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar”. Për këtë arsye nënvizohet se pse kryeministri Edi Rama vendosi të devijojë nga qëndrimi 5 vjeçar i Partisë Socialiste dhe kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast të arrestimit të zyrtarëve socialistë.

“Ky fakt tejet problematik për gjithë kryeqytetin, jo thjesht për kryebashkiakun si palë në proces po edhe për ne si garantë të Reformës në Drejtësi dhe njëkohësisht të kontratave me qytetarët në nivel qendror e vendor, aq më tepër për metropolin e Shqipërisë, kërkon një reflektim shumë serioz. Dhe e fundit, ne do t’ju ishim shume mirënjohës juve dhe cilësdo media që në vend se të bëjë thjesht leximin e romanit policor te akt-akuzës, të hedhë dritë për provat qe e mbështesin ose jo fillin e atyre afro 400 faqeve.”