Kurti i drejtohet BE-së me një letër: Serbia po shkel të drejtat e shqiptarëve në Luginë

Kurti i drejtohet BE-së me një letër: Serbia po shkel të drejtat e shqiptarëve në Luginë

Aktuale February 11, 2025 - 18:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është drejtuar me një letër Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas në lidhje me situatën në të cilët ndodhen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kurti ka folur për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve atje nga Beogradi, teksa ka thënë se shkelje të tilla rrezikojnë sigurinë e ekzistencën e tyre.

“Gjersa në Kosovë komuniteti serb gëzon të drejta e liri, e një shtet që po i integron në sferat shoqërore, shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen çdo ditë me diskriminim sistematik, pasivizim të adresave e spastrim etnik administrativ. Shqiptarët në Serbi janë të papërfaqësuar në institucione publike e ato shëndetësore e juridike, nuk iu ofrohen shërbimet të cilat iu takojnë, iu mohohet arsimimi në gjuhën e tyre, nuk iu njihen diplomat e nuk kanë të drejta e as liri themelore”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kreu i Qeverisë po ashtu ka përmendur faktin se mbi 10 për qind e qytetarëve shqiptarë janë fshirë nga listat e votuesve e nuk mund të ushtrojnë të drejtën themelore të votës.

Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të reagojë menjëherë ndaj këtyre shkeljeve. /Zëri