Konjufca: Deklarata ime u shtrembërua, nuk kishte të bënte me Osmanin
Ministri në detyrë i Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka reaguar përmes Facebook-ut ndaj raportimeve që, sipas tij, kanë shtrembëruar deklaratat e tij gjatë një tubimi në Ferizaj.
Konjufca ka thënë se rrallëherë reagon ndaj “lajmeve të rreme”, por këtë herë ka vendosur të flasë për shkak të, siç e cilësoi ai, “luftës speciale” dhe përhapjes së qëllimshme të një interpretimi të pasaktë.
"Unë rrallë reagoj për lajme të rreme, sepse sot kjo të imponon të reagosh pothuajse çdo orë. Por kjo luftë speciale e sontme nuk më la indiferent. Meqë po e vërej qartë se prapa këtij shtrembërimi të qëllimshëm ekzistojnë qindra mekanizma të riprodhimit me një qëllim vërtet të keq. E qëllimi është kontaminimi i skenës politike edhe në hapësirat e fundit. Në një tubim në Ferizaj, një pseudogazetar më ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere’. Pyetjen as që e dëgjova saktë për shkak të zhurmës dhe artikulimit. Ky term më pengoi dhe ia sqarova atij se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu ia shpjegova se pikërisht për këtë shkak ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria. Pra, diskutimi im pati vetëm një qëllim specifik: vërejtjen time që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese", ka shkruar ai në "Facebook".
Sipas tij, asnjë diskutim i tij nuk ka pasur të bëjë me Osmanin.
" Mediat qëllimkëqija, për kushedi çfarë kalkulimesh, e prenë vetëm termin ‘frizere’ dhe më pas ndërtuan rrëfimin e tyre të paqenë. Të gjithë ata që më njohin, e edhe vetë znj. Osmani, me të cilën kam bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, të cilin e ruaj edhe sot, e dinë qasjen time në politikë. Për çdo rast, të gjithë atyre që ky konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale i ka lënduar, u kërkoj ndjesë“, tha ai.