Sot në Strasburg takohen zëvendësministrat e jashtëm, pritet të përgatisin agjendën e 16 dhe 17 majit

Sot në Strasburg takohen zëvendësministrat e jashtëm, pritet të përgatisin agjendën e 16 dhe 17 majit

Aktuale May 07, 2024 - 08:09

Sot në Strasburg pritet të takohen zëvendësministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Sipas njoftimit në faqen e Këshillit të Evropës, zëvendësministrat do ta përgatisin agjendën për takimin e Komitetit të Ministrave, që mbahet më 16-17 maj po ashtu në Strasburg.

Në postimin e tij në X, kryeministri Kurti takimin e djeshëm me ambasadorët e QUINT-it e ka lidhur pikërisht me takimin e sotëm në Strasburg.

“Para takimit të nesërm në Këshill të Evropës rreth agjendës së Komitetit të Ministrave, u takova me ambasadorët QUINT-it dhe BE-së dhe kujtova se Asambleja dhe Raportuesja Dora Bakoyannis kanë konkluduar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim”, ka shkruar dje Kurti.

Pas këtij takimi, Kurti në “X” ka bërë të ditur se është takuar edhe me ambasadorët e Holandës, Belgjikës si dhe atë të Suedisë, ku temë kryesore ka qenë anëtarësimi i Kosovës në KiE.

Sidoqoftë s’dihet nëse sot do të vendoset rreth çështjes së agjendës apo do të ketë hapësirë edhe më tej.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Lihtenshtajnit që kryeson me Këshillin e Evropës i ka thënë të hënën gazetës Express se “rendi i ditës do të miratohet përfundimisht nga Ministrat e Jashtëm më 17 maj dhe do të bëhet publike pas mbledhjes së bashku me të gjitha vendimet që do të marrin ministrat”.