Shitësi i librave në Prishtinë nuk shiti asnjë të tillë në Ditën Botërore të Librit

Shitësi i librave në Prishtinë nuk shiti asnjë të tillë në Ditën Botërore të Librit

Aktuale April 24, 2024 - 08:08

23 Prilli njihet si Dita Botërore e Librit, por sipas një librashitësi në Prishtinë edhe në këtë ditë askush nuk u interesua për ta blerë një libër. Madje, për disa ditë, thotë se mezi e shet një libër. Për këtë të fundit nuk u interesuan as të zgjedhurit e popullit.

Është njëri botimet e rralla që i posedon.

Bajram Kastrati ka 30 vjet që punon si librashitës.

Pavarësisht se kioska e tij ndodhet në sheshin kryesor të Prishtinës, në syrin e lexuesit po bie shumë pak.

Madje as në Ditën Botërore të Librit, asnjë qytetar nuk u interesua për ta blerë një libër.

“Asnjë libër, as nuk ka pyetur kush sot për libër. Edhe nuk besoj që 80% e njerëzve e dinë që sot është Dita e Librit. Sot është dita e tretë ose katër, a e kam shitur një libër 5 euro a jo”, tha librashitësi, Bajram Kastrati.

E këtu Kastrati thotë se nuk po ndalen as të zgjedhurit e popullit.

“Vjen një deputet, nuk dua t’ia përmendi emrin. Anglisht po flet me një zonjë. I thashë hajde zotëri deputet, një libër bleje qëtu. Tha krejt i kam. E marr një libër, i thashë a e ke këtë? Tha jo. I thashë as 10% të librave nuk i ke”, u shpreh Kastrati per teve1.

Pavarësisht se librat nuk po i shiten, Kastrati vetë është një lexues i rregullt.

Ky tregon se sa libra ka arritur t’i lexojë brenda një viti.

“Kur e kam krye fakultetin në vitet ’80, ndryshe ka qenë muhabeti. 3:15 mos me thënë ma shumë, po deri në 100 libra i kam lexuar brenda një viti”, deklaroi ai.

23 Prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të vitit 1995.