Kryeziu: Plani 9 pikësh i OSBE-së i hartuar nga Bujar Osmani, e sheh Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë
Foto: Laura Hasani

Kryeziu: Plani 9 pikësh i OSBE-së i hartuar nga Bujar Osmani, e sheh Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë

Aktuale April 07, 2024 - 13:37

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është ai që ka hartuar planin 9 pikësh të OSBE-së për deeskalimin e situatës në veri.

Kryeziu është shprehur se ky është një rast tjetër kur “shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë”.

Kryeziu përmes një postimi në Facebook ka përmendur pikat e planit, duke filluar prej atij që i ka kërkuar Kosovës të tërheqë Policinë Speciale të Kosovës, derisa Serbisë i ka kërkuar të ulë vetëm gatishmërinë e ushtrisë.

“Dje e kuptuam që plani 9 pikësh i OSBE-së, qenka hartuar nga vetë z. Bujar Osmani. Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë”.

Ai ka thënë se “në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë”, derisa ka përmendur deeskalimin që ka ndodhur në veri, por duke thënë se ndodhi pa e dëmtuar sovranitetin e pa rrezikuar sigurinë.

“Në katër komunat në veri ka më shumë normalitet se kurdoherë tjetër. Sa herë që ka patur tensione, ato janë shkaktuar nga struktura e organizime kriminale. Dorëheqje të kryetarëve nuk ka. Ka trasim të një procesi ligjor e demokratik drejt zgjedhjeve të reja në këto komuna që respekton edhe kushtetutshmërinë e legjislacionin, por edhe vullnetin e qytetarëve. E kur të mbahen, ato do të jenë të lira e demokratike. Nuk kanë qenë gjithmonë ashtu”.