Ekspertët për Raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave: Rekomandimet e tij cenojnë sigurinë
Foto: Laura Hasani

Ekspertët për Raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave: Rekomandimet e tij cenojnë sigurinë

Aktuale April 04, 2024 - 08:37

Organizata joqeveritare e Grupit Ndërkombëtar të Krizave në raportin më të ri kushtuar Kosovës trajtoi raportin me Serbinë në përgjithësi, duke ofruar edhe rekomandime për zgjidhjen e konfliktit mes dy vendeve.

Kjo organizatë rekomandoi që Kosova të tërheqë njësitë e saj speciale të Policisë nga rajonet me shumicë serbe. Mirëpo rekomandimet e tilla nuk u vlerësuan të duhura nga njohës të fushës së sigurisë në Kosovë, ata thonë se në këtë mënyrë do të cenohet siguria e qytetarëve shqiptarë.

Në raportin më të ri të Grupit Ndërkombëtar të Krizave vlerësohet se Kosova, Serbia dhe palët e tjera të jashtme duhet të fokusohen në shmangie të rrezikut afatshkurtër të dhunës në veri të Kosovës dhe më pas të analizojnë mënyra për të garantuar stabilitet afatgjatë.

Në këtë raport kushtuar marrëdhënieve Kosovë – Serbi, me fokus në veriun e Kosovës dhe zhvillimet atje, Kosovës i sugjerohet të bashkëpunojë me forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

“Kosova duhet t’i tërheqë njësitet speciale të Policisë nga rajonet me shumicë serbe dhe derisa ta bëjë atë, t’i dislokojë ato me masë dhe vetëm në koordinim me paqeruajtësit e KFOR-it, të cilët banorët e veriut i shohin si më të besueshëm, marrë parasysh përkushtimin e tyre për neutralitet”, grafika nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Por njohësi i sigurisë Avni Islami vlerëson se në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhet tërheqja e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

“Për herë të parë institucionet e sigurisë të Kosovës e kanë shtri sovranitetin në atë pjesë dhe assesi për momentin nuk duhet të bëhet tërheqja e njësisë speciale sepse u krijohet terren strukturave të sigurisë të Serbisë dhe grupeve të ndryshme kriminale që së bashku me ato të Serbisë e kanë nën kontroll prapë veriun e Kosovës”, tha Islami për rtv21.

Në të njëjtën vijë të mendimit është edhe njohësi tjetër i sigurisë, Bedri Elezi. Ai vlerëson se nëse u bindemi rekomandimeve të Raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, cenohet siguria e qytetarëve shqiptar në atë pjesë.

“Termi dimitalizim nuk korrespondon me gjendjen faktike për faktin që në veriun e Mitrovicës, Policia e Kosovës ka dërgu njësite speciale që nuk janë pjesë e ushtrisë së Kosovës dhe këto forca kanë operuar në atë zonë ku është konstatuar që ka nevojë një prezencë e njësisë speciale të Kosovës, por në asnjë mënyrë nuk mund të them se ka prezencë ushtarake dhe të njëjtat mund të ndikojnë në aktivitetet ditore të qytetarëve serb. Në aspektin e sigurisë largimi i tyre nga komunat me shumicë serbe, mund të konsiderohet si shkëputje e sigurisë në atë zonë”, deklaroi Elezi.

Derisa Grupit Ndërkombëtar i Krizave po rekomandon largimin e Njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, në mëngjesin e sotëm iu dogj vetura një pjesëtari serb të Policisë Kufitare të Kosovës, i cili nuk ishte larguar nga puna në nëntor të vitit 2022.

“Të mërkurën, në orën 05:30, është djegur një veturë para një ndërtese. Nuk ka të dyshuar. Hetimi në vendngjarje ka përfunduar dhe hetimet janë duke vazhduar”, tha Elshani.

Ndërsa Prokuroria Themelore e Mitrovicës dyshon se vetura është djegur qëllimshëm.

“Dyshohet që është djegie e qëllimshme. Është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe ka urdhëruar që të iniciohet rast për veprën penale ‘Zjarrvënie’. Në bashkëpunim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore që të zbulohen kryerësit”, thuhet nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

E sipas njohësit të sigurisë Avni Islami, incidentet e tilla nuk janë të pakta në atë pjesë.

Ditë më parë kemi pa që dikujt iu djegën lokalet, ndërsa sot kemi edhe djegien tjetër që ka ndodh të një veture. Kjo dëshmon që veriu i Kosovës ka nevojë për forca të shtuara të Policisë dhe i vetmi qëllim është që të ruhet rendi dhe ligji. Pra as qytetarët e nacionalitet serb që jetojnë atje nuk ndihet të sigurtë prej grupeve të ndryshme kriminale e që janë në shërbim të strukturave të Serbisë”, tha Islami.

Kjo nuk është hera e parë që pronave private të serbëve në katër komunat në veri u vihet flaka. Kujtojmë se kohë më parë edhe nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, i ishte djegur lokali.