Qeveria miraton projektudhëzimin që ndalon punën e rrezikshme të fëmijëve
Foto: Laura Hasani

Qeveria miraton projektudhëzimin që ndalon punën e rrezikshme të fëmijëve

Aktuale April 02, 2024 - 15:42

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektudhëzimin administrativ për parandalimin dhe ndalimin e formave të rrezikshme të punës së fëmijëve në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se në këtë udhëzim administrativ specifikohen në mënyrë të qartë punët të cilat janë të rrezikshme për fëmijët dhe sektorët që atyre u ndalohet të punojnë.

“Specifikon në mënyrë të qartë të gjitha format e rrezikshme të punës, të cilat janë të ndaluara për fëmijët dhe nuk e rrezikojnë shëndetin e tyre. Ky udhëzim administrativ adreson punët që konsiderohen të rrezikshme si në vijim: puna gjatë orarit të natës, ngritja dhe bartja e peshave të rënda, puna në thellësi nën sipërfaqet e tokës, ekspozimi në temperaturat ekstreme, ekspozimi ndaj radioaktivitetit… Sektorët me rrezikshmëri të lartë në të cilët ndalohet puna e fëmijëve që janë specifikuar në këtë udhëzim administrativ janë puna në eksploatimin e pasurive natyrore, punë në deponi të mbeturinave, puna në hoteleri, klubeve të natës, lojëra të fatit…”, tha ajo. /eo