Konjufca takohet me një delegacion nga Shqipëria: Bashkëpunimi mes nesh, shembull për rajonin

Konjufca takohet me një delegacion nga Shqipëria: Bashkëpunimi mes nesh, shembull për rajonin

Aktuale April 02, 2024 - 13:52

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, ka pritur sot në takim Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë, të drejtuar nga Flutura Açka.

Në këtë takim Konjufca vlerësoi lart bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmjet tyre, duke e konsideruar atë shembull për vendet e tjera në rajon.

“Kryetari i Kuvendit shprehu interesimin dhe gatishmërinë për t’i vazhduar marrëdhëniet e tilla me Tiranën në të gjitha fushat, duke i kultivuar dhe intensifikuar më tej ato, në të mirë të të dyja vendeve, veçanërisht në rrafshin parlamentar”, thuhet në njoftim.

Konjufca, mes të tjerash, theksoi nevojën e një dinamike të re të bashkëpunimit midis dy vendeve, duke përfshirë këtu sferën e arsimit, si njërën nga shtyllat kryesore të zhvillimit, për të rezultuar me arsim cilësor dhe konkurrues në tregun global.

Anëtarët e delegacionit parlamentar nga Shqipëria falënderuan kryetarin Konjufca për pritjen e ngrohtë dhe njëkohësisht shprehën interesimin e tyre për të rritur angazhimet në funksion të kooperimit sa më të madh ndërparlamentar midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Në takim u sugjeruan vizita më të shpeshta të ndërsjella të komisioneve parlamentare, për të kontribuuar sa më shumë si në përafrimin dhe avancimin e legjislacionit, ashtu edhe të këmbimit të përvojave parlamentare. /Zëri

Image
Image