Certifikohen 56 noterë: Haxhiu premton konkurs të ri, madje edhe në veri

Certifikohen 56 noterë: Haxhiu premton konkurs të ri, madje edhe në veri

Aktuale March 22, 2024 - 11:26

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shpërndarë sot certifikatat për 56 kandidatët, të cilët e kanë kaluar Provimin e Noterisë.

Ministrja e Drejtësisë tha se ky proces ishte transparent, duke e krahasuar me atë të vitit 2019.

“Të nderuar kandidatë që keni dhënë provimin e noterisë, sot jemi pas një rrugëtimi të gjatë, ka kohë shumë komuna kanë mbetur pa noterë, procesi 2019, ndërhyrje nga brenda e jashtë gjithandej”, tha fillimisht Haxhiu.

“Gjykata Kushtetuese kishte thënë se ai proces ka qenë i ligjshëm. Do donim që ai proces të anulohej në tërësi. Më duket e padrejtë ndaj jush sepse ju u jeni nënshtruar një procesi me akuza se ka qenë e vështirë”, tha tutje Haxhiu, duke iu kërkuar që t’i shërbejnë sistemit të drejtësisë me nder.

“Shërbeni sistemit të drejtësisë me nder. Nga 437 kandidatë jeni ju vetëm ata diku 56 kjo sepse komisioni ka vendosur standarde të larta, andaj sot ndjehem krenare sepse ky proces ka qenë më meritor e transparentë ndonjëherë”, u shpreh ajo.

Haxhiu bëri të ditur se së shpejti do të hapen konkurse për noterë të rinj për vende të tjera, mes tyre edhe në veriun e vendit.

Haxhiu tha se është vetë dëshmitare e përpjekjeve të shumta për ndërhyrje. Haxhiu tha se pavarësisht asaj çfarë është thënë, provimin e noterisë e kanë kaluar ata që e kanë merituar. /eo