Rama: Ekipet e reja të mbledhjes së mbeturinave u sulmuan fizikisht nga disa punonjës të “Pastrimit”
Foto: Zëri

Rama: Ekipet e reja të mbledhjes së mbeturinave u sulmuan fizikisht nga disa punonjës të “Pastrimit”

Aktuale April 28, 2024 - 16:57

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se janë kërcënuar e sulmuar disa punonjës të kontraktuar së fundmi për mbledhjen e mbeturinave, nga disa punonjës të Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, duke shkruar se sabotimi i motivuar politikisht “është kthyer në dhunë”.

Rama shkroi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook se organet e Policisë së Kosovës janë informuar për rastin dhe kanë reaguar menjëherë.

“Mbrëmë ekipet e reja të kontraktuara për mbledhje të mbeturinave në Kryeqytet janë kërcënuar e sulmuar nga disa punonjës të Kompanisë Rajonale ‘Pastrimi’ në dy lokacione të lagjes Dardania. Në rastin e parë dy punonjës të kontraktuar janë sulmuar fizikisht, ndërsa në të dytin punonjës tjerë, po ashtu të kontraktuar, janë ndalur nga disa punonjës të Kompanisë Pastrimi dhe iu janë kërkuar letërnjoftimet dhe të dhëna tjera me qëllim të frikësimit. Organet e Policisë së Kosovës janë informuar dhe menjëherë kanë reaguar në vendin e ngjarjes. Për këtë veprim të menjëhershëm falënderoj Policinë e Kosovës”, shkroi kryetari i Prishtinës.

Rama shkroi se “për më shumë se një vit sabotimi të motivuar politikisht nga menaxhmenti i Kompanisë Pastrimi, Kryeqyteti jonë ka qenë në llumin e mbeturinave”.

“Tani që zgjodhëm problemin, të njëjtit eksponentë eskaluan nga sabotimi në dhunë. Dua të sigurojë qytetarët se ne nuk do të ndalemi dhe do ta bëjmë Prishtinën tonë të pastër e të gjelbër”, shkroi Rama.

Kryetari i Prishtinës tha të shtunën në një video të publikuar në Facebok se “problemit të mbeturinave në kryeqytet i erdhi fundi”, duke njoftuar për “rritjen e kapaciteteve të organeve të kryeqytetit për t’i mbledhur mbeturinat rregullisht”. Këto, ai tha se janë “rezultat i ndryshimeve që i kam bërë në menaxhment të Drejtorisë së Shërbimeve Publike”.