Shëndeti fizik i fëmijëve në Kosovë – situata kritike, kërkohet shtim i orëve të edukatës fizike

Shëndeti fizik i fëmijëve në Kosovë – situata kritike, kërkohet shtim i orëve të edukatës fizike

Aktuale March 12, 2024 - 12:39

Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku është diskutuar për gjendjen e edukimit fizik, shëndetësor dhe sportiv të nxënësve në shkollat e të gjitha niveleve, përfaqësues të Fakultetit të Edukimit Fizik kanë kërkuar të rritet numri i orëve në shkolla për lëndën e edukimit fizik.

Kjo sipas tyre është e nevojshme për shëndetin fizik dhe po ashtu në aspektin mendor të fëmijëve.

Aktualisht në Kosovë janë dy orë në javë edukim fizik, ndërsa është thënë se në Kroaci i kanë pesë orë në javë.

Mungesa e aktivitetit të mjaftueshëm fizik dhe përdorimi i teknologjisë, sipas përfaqësuesve të Fakultetit të Edukimit Fizik, po ndikojnë në obezitetin e fëmijëve dhe po ashtu problemet tjera shëndetësore.

Musa Selimi, dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në UP, tha se situata e fëmijëve në këtë çështje është kritike dhe duhet të ndërmerren masa.

Ai tha se nga parametrat e matura gjendja te fëmijët është shqetësuese.

Ai tha se dy orë edukatë fizike në javë në shkolla janë të pamjaftueshme dhe se orët në shkolla duhet të shtohen. Ai shtoi se nevojiten rreth 60 minuta në ditë aktivitet fizik për fëmijët.

“Arsyet pse kemi kërkuar këtë takim është nevoja që të ndryshojmë gjendjen kritike te fëmijët tanë në edukim dhe sport. Ne parametra që kemi matur kemi ardhur ne përfundim që me vendin e rajoni jemi shumë larg. Në hulumtimin e fundit del që 40 për qind e perfomancën fizike, fëmijët tanë janë më pak të zhvilluar se të tjerët në rajon. Mendoj se është një situatë kritike. Kemi realizuar edhe një projekt nga ambasada amerikane dhe te dhënat na dërgojnë në një situatë kritike. Ne kemi ardhur që këtë hall që ka vite që e diskutojmë në mënyra të ndryshme në vend e takime të ndryshme, por kemi hasur në vesh të shurdhër”, tha ai. /Eo