“Efektivët e njësive speciale të Policisë dyshohet që flenë në kontejnerë kancerogjenë”
Efektivët e njësive speciale të Policisë së Kosovës po dyshohet që flenë në kontejnerë kancerogjenë. Nga një inspektim që ka bërë Komisioni Parlamentar për Siguri po thonë se kontejnerëve që janë në kampin “Enver Zymeri” në Mitrovicë u ka kaluar afati.
Ata që shpesh marrin rrugën për terrene të rrezikshme, kanë edhe një vend prej ku nisen, ku bëjnë gjumin e bëhen gati.
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për bazë qëndrimi e ka kampin “Enver Zymeri” në Mitrovicë.
Aty gjenden kontejnerë të improvizuar për banim, ku efektivët e njësive të ndryshme kalojnë kohen kur nuk janë në terren.
E për këto “shtëpi” të përkohshme për policët elitarë, ligjvënësit kanë ngritur një shqetësim që ka të bëjë me mundësinë që pikërisht këta të jenë kancerogjenë.
Hisen Berisha po thotë se policët po rrinë aty si në kushte lufte.
“Kontejnerët kanë afatin 10-vjeçar, pas 10 viteve ata shndërrohen në kancerogjenë, për shkak të përbërjes e strukturës së tyre kthehen në kancerogjen për ata që jetojnë brenda tyre. Kushtet e jetesës në ta janë mizerie. Ato janë kushte për rrethana lufte, për një kohë të shkurtër jo për 20-30 vite”, ka thënë Hisen Berisha nga Komisioni për Siguri.
Berisha po thotë se tashmë këta kontenier kanë kaluar afatin 10-vjeçar.
“Ata e kanë tejkalua çdo afat të qëndresës dhe faktikisht janë kancerogjen e shumë të rrezikshëm. Kushtet e jetesës brenda dhe rendi shtëpiak sepse ushtarakët I karakterizon rendi shtëpiak, ato janë të pamundshme aty”, deklaroi ai për Rtv Dukagjinin.
Për ambient më të dinjitetshëm për njësitë speciale të Policisë së Kosovës po bëjnë thirrje edhe ata që dikur menaxhonin me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Kjo çështja e ‘Belvederës’ është dashur që jo të mbesin në kontenier që është që disa vite ashtu por të rregullohet një ambient më i dinjitetshëm e me infrastrukturë ashtu siç duhet por ka mbet kështu që sa kohë. Tash edhe janë kushtet tjera financiare dhe mundësitë janë të ketë investime më të mëdha”, ka thënë ish-zëvendësministri i punëve të Brendshme, Izmi Zeka.
Pas inspektimit që komisioni parlamentar për siguri që ka bërë vitin e kaluar ishte mbyllur kampi i Policisë në Kodrën e Trimave ku ka qenë pikërisht i njëjti sistem i të jetuarit.
Televizioni ka dërguar pyetje në drejtim të Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së punëve të Brendshme por nuk janë deklaruar zyrtarisht për këtë çështje.