“Miqtë e Amerikës” nderojnë viktimat e 11 shtatorit, vendosin kurora lulesh e ndezin qirinj te obelisku para Qeverisë
Shoqata “Miqtë e Amerikës”, në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA, ka vendosur lule dhe ka ndezur e qirinj tek obelisku 9/11, para Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i kësaj shoqate, Agim Rexhepi, tha për Ekonominë Online se si vend i dalë nga lufta, e përjetoi më shumë sulmin e 11 shtatorit.
“Po, ishte ngjarje e rëndë, ishte viti 2001 dhe ne veçse kishim dalë prej luftës dhe nga ajo luftë kishim shumë vrasje, shumë persekutime”.
“E kishim masakrën e Mejës e Izbicës, Rezallës e familjes Jashari. Në këtë formë e përjetuam shpirtin e amerikanëve”, tha Rexhepi.
Gjatë ditës ata kanë edhe një varg aktivitetesh:
08:00 – Zjarrfikësit e Prishtinës i ndezin sinjalizimet e rotacionet për 5 minuta.
08:30 – Larja e platesë te shtatorja e presidentit Bill Clinton
09:00 – Vendosja e një flamuri të ri amerikan te shtatorja nga zjarrfikësit e Prishtinës
10:55 – Në të gjitha komunat e Kosovës zjarrfikësit do t’i ndezin sinjalizimet me qëllim të respektimit të viktimave 9/11
11:00 – Garda e Nderit e Policisë së Kosovës e ulë në gjysmështizë flamurin amerikan te shtatorja e presidentit Bill Clinton
11:05 – Vendosja e kurorës me lule dhe ndezja e qirinjve para emrave të viktimave të sulmit terrorist 9/11.
11:10 – Vizitë në ekspozitën me fotografi nga sulmi në SHBA e fotografi nga aktivitetet e Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, që lidhen me 9/11.
11:15 – Prononcim para gazetarëve.