Deputetja Musliu-Shoshi sqarohet për deklaratën në Kuvend se “Kosova s’ka pasur të drejtë ta shpallë pavarësinë”

Deputetja Musliu-Shoshi sqarohet për deklaratën në Kuvend se “Kosova s’ka pasur të drejtë ta shpallë pavarësinë”

Aktuale June 09, 2023 - 12:35

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ditë më parë ka ngjallur debat pas deklaratës së saj në Kuvendin e Kosovës, ku ka folur për mbështetjen e SHBA-së ndaj vendit tonë.

Musliu-Shoshi sot në Radio Prishtina ka folur për deklaratën, që sipas saj është nxjerrë nga konteksti, se “Kosova nuk ka pasur të drejtë të shpallë pavarësinë”.

Ajo ka thënë se asnjëherë nuk e ka kontestuar të drejtën e shpalljes së pavarësisë, pasi edhe si familje kanë dhënë shumë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, transmeton Zeri.info.

“Në fakt, unë asnjëherë nuk e kam kontestuar që ne si qytetarë a kemi pas të drejtën për pavarësi, ne kemi pas të drejtë, ne kemi dhënë shumë për pavarësinë, personalisht kam familjarë që janë vrarë në luftë, që nuk dihet ku janë trupat e tyre, kam familjarë veteranë që kanë humbur gjymtyrët e tyre”.

“Unë nuk jam personi i cili e konteston pavarësinë e Kosovës, sepse edhe si familje dhe si vend kemi dhënë shumë për pavarësinë”, tha Musliu-Shoshi në emisionin “Destinim” në Radio Prishtina.

Ajo tutje sqaroi se pa mbështetjen e SHBA-së vështirë se do të na njihte ndonjë shtet, ndërsa tha se debatet në lidhje me deklaratën e saj janë nxitur nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla dhe analistë që sipas saj janë shërbyes të LVV-së.

“Problemi qëndron se nëse ne nuk e kemi pasur mbështetjen e SHBA-së, dyshoj se shtetet do të na kishin njohur, prandaj disa persona të vogël të LVV-së në krye me Donika Gërvallën dhe disa opinionistë të tjerë që janë shërbyes të LVV-së kanë provuar që në deklaratën time ta shkëpusin pjesën të cilën e kanë nxjerrë nga konteksti”, shtoi ajo. /Zëri