Ligji i ri për zgjedhje, mërgatës i mundësohet votimi në Ambasada dhe Konsullata

Ligji i ri për zgjedhje, mërgatës i mundësohet votimi në Ambasada dhe Konsullata

Aktuale June 08, 2023 - 17:01

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar projektligjin për Zgjedhje të Përgjithshme.

Fillimisht Kuvendi sot gjatë ditës e kishte votuar në lexim të parë këtë projektligj, ndërsa tani me 79 vota për, 3 abstenime ka miratuar Projektligjin për Zgjedhje të Përgjithshme, transmeton Zeri.info.

Pas votimit ka reaguar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se mërgata mund të votojë fizikisht në Ambasada dhe Konsullata ose edhe me postë.

Sipas tij, kjo është përmbushje e zotimit.

“Përmbushet edhe një zotim.Në zgjedhjet e ardhshme mërgata do të mund të votojë ashtu siç i takon. Me ndryshimet e reja që sot kaluan në Kuvendin e Kosovës mërgata do të mund të votojë fizikisht në Ambasada/Konsullata, me postë duke e dërguar në Ambasada/Konsullata apo edhe duke e dërguar votën me postë në KQZ në Kosovë”, ka shkruar Sveçla.

Ai shtoi se mërgata është pjesë e pandashme e jona.

“ Largësia e tyre fizike nuk do të mund t’i privojë më ata nga vendosja për fatin e Republikës”, shtoi ai. /Zëri