Dorëhiqet zv.guvernatorja e përkohshme e BQK-së, Nora Jashari Latifi
Ushtruesja e detyrës së zëvendësguvernatores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Nora Latifi-Jashari, ka dhënë dorëheqje të hënën nga kjo pozitë.
BQK-ja njofton se në takimin e mbajtur më 29 mars 2023, të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, në bazë të Ligjit për BQK-në një nga pozitat e përkohshme ekzekutive është vendosur edhe anëtarja e Bordit, Nora Latifi Jashari, si zëvendësguvernatore e përkohshme.
“Për shkak të angazhimeve profesionale e kontraktuale që Latifi Jashari ka pasur jashtë BQK-së edhe para këtij vendimi, ka kërkuar që të lirojë pozitën e përkohshme në BQK nga data 15 maj 2023”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Sipas BQK-së, ky veprim nuk e cenon në asnjë mënyrë vazhdimësinë e përmbushjes së objektivave të BQK-së, pasi Bordi Ekzekutiv mbetet funksional deri në plotësimin e pozitave të rregullta të anëtarëve të Bordit Ekzekutiv, sipas Ligjit të BQK-së.
“Për më shumë Latifi-Jashari vazhdon kryerjen e detyrave si anëtare joekzekutive e Bordit të BQK-së”, thuhet në njoftim. /Zëri